Kryeministri hungarez Viktor Orban pritet të udhëtojë në Moskë të premten për të zhvilluar bisedime me Presidentin rus Vladimir Putin, sipas raportimeve të mediave që citojnë burime brenda qeverisë së Budapestit. Vizita, ende e pakonfirmuar zyrtarisht, sinjalizon një tjetër hap të fortë të Orbán drejt Moskës në kulmin e përpjekjeve perëndimore për të gjetur një formulë të pranueshme paqeje për Ukrainën.
Sipas portalit investigativ VSquare, burime të përfshira në përgatitjet e udhëtimit kanë konfirmuar planin, ndërsa qeveria hungareze ka deklaruar se programi i kryeministrit do të publikohet “në kohën e duhur”.
Orbán intensifikon marrëdhëniet me Kremlinin
Kryeministri hungarez ka ruajtur prej vitesh një kanal të hapur komunikimi me Putinin – edhe pas pushtimit të Ukrainës. Që nga viti 2022, të dy udhëheqësit janë takuar tre herë, duke sfiduar hapur qëndrimet e BE-së ndaj Rusisë.
Orban ka kërkuar vazhdimisht armëpushim të menjëhershëm dhe fillim bisedimesh paqeje, që sipas tij janë rruga e vetme realiste për t’i dhënë fund luftës.
Thirrje BE-së: Mbështesni Trump-in dhe uleni me Rusinë
Gjatë fundjavës, Orban i dërgoi një letër Presidentes së Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, duke e shtyrë Bashkimin Evropian të mbështesë pa hezitim planin e paqes të Donald Trump.
“Evropianët duhet të mbështesin menjëherë dhe pa kushte iniciativën e paqes të Presidentit të Shteteve të Bashkuara,” shkroi ai.
“Ne duhet të fillojmë pa vonesë negociata të drejtpërdrejta diplomatike me Rusinë.”
Orban ka akuzuar prej kohësh liderët evropianë se “vazhdojnë luftën”, duke thënë se Brukseli ende beson gabimisht se Kievi mund të fitojë ushtarakisht.
Naftë, gaz dhe politika e energjisë
Pozicionimi i Orbanit nuk vjen si surprizë, duke marrë parasysh se Hungaria mbetet një nga vendet e pakta të BE-së që importon sasi të mëdha të naftës dhe gazit rus. Budapestit i janë dhënë përjashtime të rëndësishme nga sanksionet energjetike, ndërsa Orbán ka siguruar edhe lehtësime të posaçme nga administrata amerikane për tarifat që prekin eksportuesit rusë Rosneft dhe Lukoil.
Mes Trump-it dhe BE-së
Në një vizitë në Uashington në nëntor, kryeministri hungarez lavdëroi publikisht përpjekjet e Trump për paqe, por akuzoi BE-në se “është pengesë”.
“Ju [Trump] po përpiqeni për paqe, por problemi është Brukseli. Ata duan të vazhdojnë luftën, sepse ende mendojnë se Ukraina mund të fitojë në front,” deklaroi Orban.

