Organizata e Kombeve të Bashkuara ka shprehur shqetësim të thellë për shtypjen e dhunshme të protestave në Iran, duke theksuar se përdorimi i forcës vdekjeprurëse ndaj demonstruesve përbën shkelje të hapur të së drejtës ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.
Deklarata u bë nga zëdhënësi i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Stéphane Dujarric, gjatë një konference për media në selinë e OKB-së. Ai theksoi se Sekretari i Përgjithshëm ka qenë “shumë i qartë” në vlerësimet e tij për situatën në Iran, duke e cilësuar atë si jashtëzakonisht shqetësuese për Lindjen e Mesme.
I pyetur drejtpërdrejt nëse përdorimi i dhunës vdekjeprurëse ndaj protestuesve përbën shkelje të së drejtës ndërkombëtare, Dujarric u përgjigj pa ekuivok: “Po, e shkel.”
“Ekziston një e drejtë themelore e njerëzve për të protestuar paqësisht,” tha ai, duke shtuar se forcat e rendit kanë detyrim ligjor të mbrojnë protestuesit paqësorë. Sipas tij, edhe në rastet kur ka incidente të dhunshme, përdorimi i forcës duhet të jetë proporcional, gjë që – sipas OKB-së – nuk është respektuar në Iran.
Sa i përket numrit të viktimave, zëdhënësi i OKB-së theksoi se për shkak të kufizimeve të rënda në aksesin në internet, nuk ka shifra të sakta, por është e qartë se civilë kanë humbur jetën. Ai sqaroi se strukturat e OKB-së për të drejtat e njeriut po mbledhin informacion përmes disa kanaleve, ndonëse komunikimi me partnerët në terren ka qenë i vështirë dhe i fragmentuar.
Dujarric konfirmoi gjithashtu se OKB-ja ka prezencë në Iran dhe se një pjesë e stafit po punon nga shtëpia, duke siguruar se të gjithë janë të sigurt.
Në planin politik, OKB-ja shprehu shqetësim për retorikën luftarake që po dëgjohet nga aktorë të ndryshëm lidhur me zhvillimet në Iran, duke përsëritur thirrjen për dialog dhe shmangie të përshkallëzimit. Lidhur me ndërhyrjet e huaja, ai theksoi se Karta e OKB-së është e qartë dhe se organizata promovon zgjidhje paqësore, duke mbrojtur të drejtën e iranianëve për të protestuar paqësisht.
Sa i përket sanksioneve, OKB-ja rikonfirmoi qëndrimin e saj tradicional se ato shpesh godasin më shumë qytetarët sesa udhëheqësit, duke nënvizuar se çdo qeveri mban përgjegjësi për mirëqenien fizike dhe ekonomike të popullsisë së saj.
Megjithëse, siç u shpreh Dujarric, “askush nuk mund të parashikojë se çfarë do të ndodhë”, OKB-ja thekson se mbetet e përkushtuar ndaj mbrojtjes së civilëve dhe respektimit të të drejtave themelore, ndërsa trazirat në Iran vazhdojnë.

