Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, me të cilin ka diskutuar rreth zhvillimeve të fundit politike dhe organizimit të zgjedhjeve të parakohshme të 28 dhjetorit.
Osmani ka ritheksuar rëndësinë që procesi zgjedhor të zhvillohet sipas standardeve më të larta demokratike, duke kujtuar se Kosova tashmë është vlerësuar si shembull për organizimin korrekt të zgjedhjeve.
Në qendër të diskutimit kanë qenë edhe hapat konkret drejt finalizimit të iniciativës së Presidentes për lidhjen e marrëveshjeve strategjike me Mbretërinë e Bashkuar në fushat e mbrojtjes, sigurisë, ekonomisë dhe tregtisë — marrëveshje të cilat u dakorduan fillimisht gjatë vizitës së Sekretarit të Jashtëm britanik në Prishtinë në prill të këtij viti.
Presidentja Osmani ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e pandërprerë të Mbretërisë së Bashkuar ndaj Kosovës dhe qytetarëve të saj, duke e vlerësuar partneritetin si thelbësor për zhvillimin dhe sigurinë e vendit.

