Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka falënderuar Presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, për urimin me rastin e Ditës së Pavarësisë së Kosovës dhe për mbështetjen ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit.
Në një reagim publik, Osmani e cilësoi urimin si të përzemërt dhe theksoi rëndësinë e partneritetit strategjik me SHBA-në.
“Faleminderit Presidentit Trump për urimin e përzemërt për popullin e Kosovës në prag të Ditës së Pavarësisë, si dhe për mbështetjen e palëkundur për sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Osmani.
Ajo shtoi se Kosova do të qëndrojë gjithmonë krah Shteteve të Bashkuara të Amerikës në përpjekjet për paqe, stabilitet dhe siguri globale.


