Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar ashpër pas rastit tronditës të Gadimes së Ulët, ku një grua u sulmua brutalisht me sëpatë nga ish-bashkëshorti i saj, pavarësisht se kishte një urdhër aktiv mbrojtjeje. Osmani theksoi se femicidi nuk është më thjesht problem social, por një krizë kombëtare që po shkatërron themelet e shoqërisë.
“Femicidi vazhdon të jetë një plagë e hapur. Jo statistikë. Jo rast i izoluar. Por një krizë kombëtare që po gërryen shoqërinë tonë, ditë pas dite,” tha Osmani.
“Kur urdhri i mbrojtjes mbetet letër, rreziku bëhet realitet – dhe realiteti vret”
Presidentja kritikoi ashpër dështimin e institucioneve për të zbatuar urdhërat e mbrojtjes, duke thënë se rasti i Gadimes është dëshmi se letra nuk mbron jetë.
“Ajo që ndodhi nuk është thjesht ‘një rast tjetër’. Një grua u sulmua barbarisht, edhe pse ishte e mbrojtur me urdhër aktiv. Kur një urdhër mbrojtjeje mbetet letër, rreziku bëhet realitet. Dhe realiteti na vret,” deklaroi ajo.
Osmani theksoi se statistikat e dhunës ndaj grave po e tregojnë qartë dështimin e sistemit: “Numrat na e thonë troç: letrat nuk shpëtojnë jetë. Zbatimi dhe reagimi pa vonesë – po.”
Thirrje për veprim pa kompromis
Në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, Presidentja kërkoi veprim të menjëhershëm dhe vendimtar nga institucionet.
“Apeloj për VEPRIM. Me përgjegjësi. Me kujdes. Pa asnjë tolerim. Ashtu siç e kërkon ligji. Ashtu siç e meriton çdo grua dhe vajzë në Republikën e Kosovës.”
Ajo paralajmëroi se çdo vonesë institucionale mund të jetë fatale:
“Çdo hap i gabuar, çdo neglizhencë, çdo vonesë mund të kushtojë jetë.”
“Asnjë dhunues nuk duhet të ndihet i paprekshëm, asnjë grua nuk duhet të mbetet e pambrojtur”
Presidentja e përmbylli me thirrjen e qartë se shteti nuk duhet të tolerojë dhunën në asnjë rrethanë.
“Nuk ka kompromis kur bëhet fjalë për jetën dhe dinjitetin e grave.”

