Pas përfundimit të mandatit pesëvjeçar, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është larguar nga detyra, duke ia dorëzuar zyrtarisht funksionin kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu.
Ceremonia e pranim-dorëzimit është mbajtur në ambientet e Presidencës, ku Osmani u përcoll me ceremoni shtetërore. Në këtë rast, ajo i dorëzoi Haxhiut dosjet e punës dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës, duke shënuar edhe simbolikisht kalimin e përgjegjësisë institucionale.
Gjatë ceremonisë, Osmani u shpreh e kënaqur që detyrën po ia dorëzon një gruaje, duke theksuar gatishmërinë për bashkëpunim edhe në të ardhmen.
“Jam shumë e hapur të vazhdoj bashkëpunimin me ju. Të uroj shumë suksese në angazhimin tënd”, u shpreh Osmani.
Nga ana tjetër, Haxhiu falënderoi Osmanin për kontributin e saj dhe theksoi rëndësinë e integritetit në udhëheqjen e institucioneve.
Ajo u zotua se do ta ushtrojë detyrën në përputhje me Kushtetutën dhe në shërbim të qytetarëve, ndërsa bëri thirrje për zgjidhje sa më të shpejtë të çështjes së zgjedhjes së presidentit të ri.
“Është shumë e rëndësishme që në krye të institucioneve të ketë njerëz me integritet të lartë. I bëj thirrje deputetëve që sa më parë të gjejnë një zgjidhje për çështjen e presidentit”, deklaroi Haxhiu.
Sipas Kushtetutës, Haxhiu do të ushtrojë detyrën e presidentes deri në zgjedhjen e kreut të ri të shtetit, për një periudhë të përkohshme që mund të zgjasë deri në gjashtë muaj.

