Kosovës do t’i hiqen plotësisht masat ndëshkuese të vendosura nga Bashkimi Evropian, duke nisur nga muaji janar. Lajmi u bë i ditur nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas përfundimit të Samitit BE–Ballkani Perëndimor që u mbajt në Bruksel.
“Kemi lajme të shkëlqyeshme për Kosovën. Në fund të samitit dhe pas diskutimeve u mor vendimi që të gjitha masat t’i hiqen Kosovës. Një pjesë e madhe hiqen sot, ndërsa pjesa tjetër në fund të janarit”, deklaroi Osmani.
Në një video të publikuar nga presidentja në rrjetet sociale, shfaqet edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili e përgëzoi Osmanin për rolin e saj në heqjen e sanksioneve dhe zhbllokimin e fondeve evropiane për Kosovën.
“Kjo grua ka qenë e jashtëzakonshme sot, i ka zhbllokuar të gjitha fondet. Ka kjo lajme dhe është meritë e saj. Ti e di që unë nuk të dua, por të vërtetën duhet ta themi”, dëgjohet të thotë Rama në video.
Masat ndëshkuese ndaj Kosovës u vendosën nga Bashkimi Evropian në verën e vitit 2023, pas rritjes së tensioneve në veri të vendit. Asokohe, BE-ja vlerësoi se disa veprime të autoriteteve kosovare, përfshirë mbylljen e institucioneve paralele serbe, po minonin përpjekjet për shtensionim të situatës.
Sipas një analize të Institutit GAP, këto masa i kanë shkaktuar Kosovës një dëm financiar prej rreth 613.4 milionë eurosh në projekte të pezulluara ose të shtyra për afat të pacaktuar, ndërsa 7.1 milionë euro janë humbur përfundimisht për shkak të kalimit të afateve.
Sektorët më të goditur kanë qenë mjedisi, energjia, digjitalizimi dhe kultura, ndërsa rreth 218 milionë euro lidhen me fondet e Instrumentit të Para-Anëtarësimit (IPA), dhe afro 395 milionë euro me projekte në kuadër të Kornizës së Investimeve të BE-së për Ballkanin Perëndimor.
Heqja e plotë e sanksioneve pritet të hapë rrugën për rifillimin e projekteve të bllokuara dhe për një fazë të re të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

