Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se në 18-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara është pritur në Departamentin Amerikan të Shtetit nga Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio.
Osmani theksoi se gjatë takimit është diskutuar për forcimin e mëtejshëm të aleancës mes dy vendeve dhe për hapa konkretë që, sipas saj, kanë rëndësi jetike për qytetarët e Kosovës.
Ajo falënderoi SHBA-të për përfshirjen e Kosovës në Bordin e Paqes, për mbështetjen ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit, si dhe për prezencën ushtarake amerikane në Kosovë, të cilën e cilësoi si kyçe për paqen dhe stabilitetin në rajon.
Në fokus të bisedës ishte edhe rëndësia e anëtarësimit të Kosovës në NATO, si dhe hapja e kapitujve të rinj të bashkëpunimit në fushën e ekonomisë dhe mbrojtjes, në kuadër të partneritetit strategjik mes dy shteteve.
Osmani theksoi se Kosova mbetet e përkushtuar krah për krah me SHBA-të për forcimin e paqes dhe sigurisë, adresimin e sfidave globale dhe avancimin drejt integrimit euroatlantik.

