Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kujtuar figurën e shenjtores shqiptare, Nënë Tereza, duke e vlerësuar si një simbol universal të humanizmit dhe bamirësisë.
Osmani theksoi se rrugëtimi i saj nga fshati i vogël i Letnicës, ku dëgjoi thirrjen hyjnore, deri në Sheshin “Shën Pjetri” në Vatikan dhe në çdo cep të botës, i dha zë të varfërve, të sëmurëve dhe të harruarve.
“Nga Letnica, ku dëgjoi thirrjen hyjnore, në Sheshin ‘Shën Pjetri’ në Vatikan e pastaj në çdo anë të botës, Nënë Tereza i dha zë të varfërve, të sëmurëve dhe të harruarve, duke lënë pas një trashëgimi të pakrahasueshme bamirësie dhe humanizmi,” shkroi Osmani.
Presidentja shtoi se veprat e Shën Terezës vazhdojnë të frymëzojnë miliona njerëz, duke i kujtuar fuqinë e dashurisë dhe solidaritetit njerëzor.
“Trashëgimia e saj është një thirrje për secilin prej nesh: të jemi pranë të tjerëve, të dhurojmë dashuri dhe shpresë, si dhe ta ndërtojmë një botë më të drejtë dhe më paqësore,” theksoi Osmani.