Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim ish-pjesëtarin e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, Arbnor Spahiun, i cili është liruar nga autoritetet serbe pas disa muajsh mbajtje në paraburgim.
Osmani i uroi Spahiut rikthim sa më të lehtë në jetën e përditshme dhe theksoi rëndësinë e mbështetjes për të pas periudhës së vështirë që ka kaluar i ndarë nga familja e tij.
“Arbnorit i urova gjithë të mirat pranë familjes së tij dhe një rikthim sa më të lehtë në normalitet,” deklaroi presidentja.
Thirrje qytetarëve: Shmangni Serbinë gjatë udhëtimeve
Në të njëjtin reagim, Osmani përsëriti paralajmërimin ndaj qytetarëve të Kosovës, sidomos diasporës që pritet të udhëtojë gjatë festave të fundvitit, që të mos kalojnë nëpër Serbi.
Ajo theksoi se institucionet serbe vazhdojnë të funksionojnë me të njëjtën mendësi si regjimet e mëparshme, duke paraqitur rrezik për qytetarët kosovarë.
“U bëj thirrje të shmangin kalimin nëpër Serbi, pasi atje vazhdojnë të jenë në pushtet struktura që nuk dallojnë në mendësi nga regjimi i kaluar serb,” tha Osmani.

