Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimi Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sørensen, me të cilin diskutoi zhvillimet e fundit politike në vend, proceset zgjedhore, situatën e sigurisë, marrëdhëniet me BE-në dhe të ardhmen e dialogut me Serbinë.
Gjatë takimit, Presidentja Osmani theksoi se dialogu Kosovë–Serbi duhet të jetë i përqendruar qartë në njohjen reciproke, duke nënvizuar se suksesi i këtij procesi varet nga trajtimi i barabartë i palëve. Ajo theksoi se Serbia ka shkelur vazhdimisht Marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit, duke cenuar sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, përmes akteve agresive dhe përpjekjeve për ta penguar anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.
Presidentja Osmani vlerësoi se dialogu duhet të ketë objektiva të qarta dhe rezultate të matshme, veçanërisht në kuadër të integrimit evropian, duke paralajmëruar se interpretimi selektiv i marrëveshjeve e dëmton seriozisht procesin dhe besueshmërinë e tij.
Në takim u diskutuan edhe zgjedhjet e fundit parlamentare dhe lokale në Kosovë, të cilat Presidentja i cilësoi si të suksesshme, demokratike dhe gjithëpërfshirëse, duke dëshmuar pjekurinë demokratike të shtetit dhe funksionimin e institucioneve në përputhje të plotë me standardet evropiane.
Sa i përket marrëdhënieve Kosovë–BE, Presidentja Osmani përshëndeti vendimin e dhjetorit për heqjen e plotë të masave ndaj Kosovës, të shpallur në Samitin BE–Ballkani Perëndimor, duke e quajtur atë një hap të rëndësishëm drejt rivendosjes së partneritetit të plotë dhe të barabartë ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
Duke folur për perspektivën evropiane të vendit, Osmani theksoi se dhënia e statusit të vendit kandidat për BE është një domosdoshmëri strategjike, jo vetëm për Kosovën, por edhe për stabilitetin rajonal dhe kredibilitetin e vetë BE-së. Ajo vuri në pah përputhshmërinë e plotë të Kosovës me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së, bilancin demokratik dhe vrullin e reformave, duke theksuar se do të vazhdojë angazhimin për avancimin e statusit kandidat pa vonesa të mëtejme.
Mesazhi ishte i qartë, pa dorashka: dialog po, por jo në kurriz të sovranitetit – dhe Evropa duhet ta trajtojë Kosovën si partner serioz, jo si dosje të hapur pa afat.

