Parashihet të hapen së paku 300 vende pune, ministrja Hajdari nënshkruan marrëveshje për projektin strategjik

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari ka bërë të ditur se në emër të Komisionit Ndërministror për Investime Strategjike ka nënshkruar marrëveshjen për realizimin siç tha të projektit strategjik me pronarin e subjektit Kosmonte Foods, Lulzim Begaj.

MINT në një postim në Facebook njofton se kjo marrëveshje ka për qëllim realizimin e projektit strategjik në vlerë totale prej 11,143,917.2 euro (njëmbëdhjetë milion e njëqind e dyzetë e tre mijë e nëntëqind e shtatëmbëdhjetë euro e njëzet cent).

“Sipas marrëveshjes, investimi do të kryhet së shpejti, dhe do të jetësojë projektin investues duke sjellë dhe bashkëpunuar me kompaninë gjermane ‘Zott’, dhe kompaninë sllovene ‘Perutnina Ptuj’.

Nga ky projekt strategjik parashihet të hapen së paku edhe 300 vende të reja pune”, thuhet në njoftimin e MINT-së.

Më tej në njoftim thuhet se objekt i kësaj marrëveshjeje është dhënia në shfrytëzim e pronës për 99 vite në zonën kadastrale Harilaq, Komuna e Fushë Kosovës, e cila do të shfrytëzohet për investime strategjike në asete fizike për grumbullimin, trajtimin, ruajtjen e pemëve dhe perimeve, përpunimin e tyre dhe tregtimin e produkteve bujqësore, si dhe përpunimin e mishit të shpezëve.

“’Perutnina Ptuj’ pritet sivjet të fillojë me investim në fabrikë dhe në vendosjen e mbarështimit të zogjve të pulës.

Qëllimi i kësaj marrëveshjeje është realizimi i projektit strategjik dhe përcaktimi i të drejtave dhe detyrimeve përmes Autoritetit Kontraktues dhe Investitorit, për implementimin e projektit strategjik të fituar me vendimin e Qeverisë të Republikës së Kosovës dhe vendimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Marrëveshja u nënshkrua në fund të vitit të kaluar dhe i hap rrugë zbatimit të investimit strategjik i cili pritet të fillojë së shpejti”, thuhet në fund të njoftimit. /Telegrafi/

 

Next Post