Dita e martë në Kosovë pritet të karakterizohet nga moti jo-stabil, me alternime mes diellit dhe vranësirave, të cilat gjatë ditës do të fuqizohen dhe do të zhvillohen në formë rrebeshesh të shiut të shoqëruara me vetëtima dhe bubullima.
Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, rrebeshet nuk do të përfshijnë të gjitha zonat, por do të jenë më të pranishme në viset kodrinore-malore, ndërsa në disa rajone të ulëta nuk përjashtohet mundësia për shtrëngata të fuqishme me breshër.
Për shkak të këtyre zhvillimeve atmosferike, temperaturat pritet të shënojnë ulje, sidomos në zonat që do të përjetojnë rrebeshe të shpeshta. Temperatura maksimale pritet të arrijë deri në 30°C.
Moti në rajon: Diell, stuhi të izoluara dhe vapë në bregdet
Edhe Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Lugina e Preshevës dhe Mali i Zi do të përjetojnë një ditë me mot të paqëndrueshëm. Parashikohet moti me diell dhe vranësira, të cilat në disa zona kontinentale – veçanërisht në kodrina dhe bjeshkë – mund të sjellin stuhi të izoluara shiu të shoqëruara me bubullima.
Në të kundërt, në zonat bregdetare dhe jugore të Shqipërisë, moti do të jetë kryesisht i kthjellët dhe përvëlues, me temperatura të larta dhe vapë të ndjeshme gjatë orëve të mesditës.
Meteorologët këshillojnë qytetarët që të jenë të përgatitur për ndryshime të shpejta të motit dhe të shmangin qëndrimin në ambiente të hapura gjatë stuhive të mundshme.