Deputeti i zgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Paris Guri, ka deklaruar se arsyeja pse Lumir Abdixhiku arriti të rikonfirmohej në krye të partisë është besimi që delegatët dhe elektorati i LDK-së kanë ndaj punës së tij gjatë pesë viteve të fundit.
I ftuar në emisionin KosovaLive në T7, Guri tha se delegatët e Kuvendit të LDK-së e njohin nga afër punën e Abdixhikut, ndryshe nga, siç u shpreh ai, disa persona që e komentonin situatën nga studiot televizive pa qenë pjesë e partisë.
“Arsyeja pse ka fituar është se këta delegatë, që janë pjesë e Kuvendit të LDK-së, e dinë se kryetari Lumir Abdixhiku ka bërë një punë të jashtëzakonshme me partinë. Ai e mori partinë me 12 për qind, në koalicion me AKR-në. Brenda një periudhe shumë të shkurtër i stabilizoi organet e saj, e reformoi partinë dhe e rriti mbështetjen për të”, deklaroi Guri.

