Policia e Kosovës, ka njoftuar se këtë javë ka vazhduar me shqiptime gjobash ndaj kundërvajtësve të ndryshëm, të cilët janë raportuar nga qytetarët përmes aplikacionit “Lajmëro Policin” apo kanaleve të tjera të komunikimit.
Nga policia është shtuar se, shumica rasteve kanë të bëjnë me parkime të parregullta, të cilat shpesh dokumentohen me prova vizuale nga qytetarët.
Postimi:
Policia në Prizren gjobit kundërvajtësit e raportuar nga qytetarët
Prizren, 30 korrik 2026
Policia e Kosovës, konkretisht stacionet policore nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren, gjatë kësaj jave ka vazhduar me shqiptime gjobash ndaj kundërvajtësve të ndryshëm, të cilët janë raportuar nga qytetarët përmes aplikacionit “Lajmëro Policin” apo kanaleve të tjera të komunikimit.
Raportimet për kundërvajtje në trafik janë të shumta dhe çdo rast trajtohet me seriozitet. Nëse nga raportimi, të dhënat e ofruara dhe materialet e bashkangjitura (fotografi apo video) vërtetohet shkelja, kundërvajtësi informohet përmes telefonit dhe gjoba i shqiptohet menjëherë. Shumica e rasteve kanë të bëjnë me parkime të parregullta, të cilat shpesh dokumentohen me prova vizuale nga qytetarët.
Policia fton të gjithë drejtuesit e mjeteve që të respektojnë rregullat e trafikut, veçanërisht gjatë parkimit, duke shmangur vendet e ndaluara ku pengohet qarkullimi i lirë i këmbësorëve dhe mjeteve.
Njëkohësisht, Policia e Kosovës falënderon qytetarët për bashkëpunimin dhe kontributin e tyre të përbashkët në parandalimin e kundërvajtjeve dhe identifikimin e shkelësve të ligjit.

