Parlamenti Evropian ka miratuar ndryshime të rëndësishme në rregullat e azilit, duke e bërë procesin më të shpejtë dhe më të rreptë për migrantët nga disa shtete, përfshirë Kosova. Vendimi e fut Kosovën në listën e vendeve të ashtuquajtura “të sigurta”, çka nënkupton se kërkesat për azil nga qytetarët e saj do të refuzohen më lehtë në Bashkimin Evropian.
Sipas rregullave të reja, kërkesat për azil nga shtetasit e vendeve të sigurta do të shqyrtohen me procedurë të përshpejtuar, ndërsa barra e provës do të bjerë mbi aplikuesin, i cili duhet të dëshmojë se rrezikon përndjekje ose dëm serioz në rast kthimi në vendin e origjinës.
Lista e vendeve të sigurta
Në listën e re të miratuar nga Parlamenti Evropian përfshihen:
-
Bangladeshi
-
Kolumbia
-
Egjipti
-
Kosova
-
India
-
Maroku
-
Tunizia
Po ashtu, vendet që janë në proces anëtarësimi në BE do të konsiderohen automatikisht vende të sigurta.
Përpunim i azilit jashtë BE-së
Ndryshimet e reja u japin shteteve anëtare mundësinë që kërkesat për azil të përpunohen edhe jashtë territorit të BE-së, duke hapur rrugën për marrëveshje si ajo mes Italisë dhe Shqipërisë për strehimin e migrantëve.
Sipas ligjit të ri, një kërkesë për azil mund të shpallet e papranueshme edhe nëse migranti nuk është shtetas i një vendi të sigurt, por:
-
ka kaluar më parë në një vend të tretë të sigurt,
-
ka lidhje familjare në atë vend,
-
ose ekziston një marrëveshje mes BE-së dhe atij shteti.
Mbështetje dhe kundërshtime
Vendimi u miratua me votat e qendrës së djathtë dhe partive të djathta në Parlamentin Evropian. Ndërkohë, eurodeputetët e së majtës dhe të gjelbërve e kundërshtuan ashpër, duke e quajtur atë “një ditë të zezë për vlerat evropiane” dhe duke paralajmëruar dobësim të së drejtës për azil.
Pas votimit, Nicola Procaccini, bashkëkryetar i grupit të Konservatorëve dhe Reformistëve Evropianë dhe figurë e afërt me kryeministren italiane Giorgia Meloni, deklaroi se Bashkimi Evropian ka marrë si model politikën e Italisë për migrantët dhe e ka shndërruar atë në strategji evropiane.
Komisioni Evropian do të monitorojë situatën në vendet e shpallura të sigurta dhe mund t’i heqë ato nga lista nëse kushtet ndryshojnë. Ndërkohë, shtetet anëtare do të kenë të drejtë të hartojnë edhe lista të tyre kombëtare të vendeve të sigurta.

