Pas 16 vitesh nën udhëheqjen e kryetarëve shqiptarë, Kërçova ka kaluar sërish në duart e VMRO-DPMNE-së. Kandidati i kësaj partie, Aleksandar Jovanovski, ka fituar në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, duke mposhtur Fatmir Deharin, kandidatin e Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI) dhe kryetarin aktual të komunës, raporton gazeta KOHA.
Sipas rezultateve të para jozyrtare, Jovanovski ka siguruar një epërsi prej rreth 2.000 votash, duke arritur një fitore të thellë që shënon një ndryshim historik në balancat politike të komunës.
Në zgjedhjet e vitit 2021, Dehari kishte fituar ndaj Jovanovskit, duke e ruajtur atëherë komunën në duart e shqiptarëve. Por këtë herë, mobilizimi i elektoratit maqedonas dhe pjesëmarrja e ulët e votuesve shqiptarë, përfshirë edhe diasporën, duket se kanë përcaktuar rezultatin përfundimtar.
Sipas burimeve nga terreni, pjesa më e madhe e votave vendimtare për Jovanovskin kanë ardhur nga vendbanimet maqedonase, ndërsa votat shqiptare nuk arritën të kompensonin diferencën.
Fitorja e Jovanovskit shënon fundin e një periudhe 16-vjeçare të drejtimit shqiptar në Kërçovë, që filloi me Fatmir Deharin dhe u mbështet në mënyrë të qëndrueshme nga elektorati shqiptar për disa mandate. Në katër vitet e ardhshme, Komuna e Kërçovës do të udhëhiqet nga një kuadër i VMRO-DPMNE-së, dhe ky rezultat pritet të ndikojë ndjeshëm në raportet politike ndërmjet komuniteteve dhe partive kryesore në vend.

