Pas nëntë ditësh grevë dhe protestash përpara Komunës së Prishtinës dhe Qeverisë, autobusat e ndërmarrjes “Trafiku Urban” janë rikthyer sot në shërbim të qytetarëve.
Ndërprerja e qarkullimit kishte ardhur si pasojë e situatës së rënduar financiare, pasi Komuna e Prishtinës nuk kishte paguar në kohë detyrimet ndaj ndërmarrjes. Kjo pamundësi, sipas njoftimit zyrtar të “Trafikut Urban”, e kishte bërë grevën të pashmangshme.
Në komunikatën e publikuar dje, ndërmarrja konfirmoi se faturat janë paguar dhe mjetet financiare janë alokuar, duke hapur rrugën për rifillimin e shërbimit.
“Trafiku Urban” ka kërkuar falje për vështirësitë që qytetarët u janë detyruar të përballin gjatë këtyre ditëve pa transport publik, duke falënderuar publikun për mirëkuptimin.
Me rikthimin e autobusëve në rrugë, pritet normalizim i qarkullimit dhe lehtësim i lëvizjes për mijëra qytetarë të Prishtinës që u prekën nga ndërprerja e gjatë e shërbimit.

