Partia Demokratike ka nisur negociatat me aleatët për të gjetur kandidatin e përbashkët që do të sfidojë Ogerta Manastirliun në zgjedhjet e pjesshme të 9 nëntorit për Bashkinë e Tiranës.
Burime për Report Tv bëjnë me dije se dy emrat kryesorë që po diskutohen janë politologu Ermal Hasimja dhe aktivistja Edlira Çepani, bashkëshortja e të ndjerit Gerti Bogdani. Të dy janë artikuluar si alternativat e para serioze, ndërsa bisedimet me partitë opozitare pritet të vijojnë edhe në ditët në vijim.
Në takimin e sotëm mes PD-së dhe Partisë Mundësia, deputeti Erald Kapri theksoi se kandidati duhet të jetë një figurë apolitike, me integritet të lartë dhe i distancuar nga çdo lloj akuze.
“Emri nuk është i rëndësishëm, parimi po. Ne besojmë se vetëm një kandidat me profil publik, profesional dhe mbi palët, mund ta fitojë Tiranën”, tha Kapri.
PD pritet të zhvillojë takime edhe me partinë e Shpëtim Idrizit, si dhe ka mbajtur bisedime me Fatmir Mediun (PR), Agron Dukën (PAA) dhe Tedi Blushin (PL). Ndërkohë, Adriatik Lapaj ende nuk ka vendosur nëse do t’i bashkohet tryezës, duke paralajmëruar konsultime të brendshme me forumin e tij Shqipëria Bëhet.
Një ditë më parë, anëtari i grupit të punës së PD-së, Ilir Alimehmeti, është takuar me Endri Shabanin e Nismës Thurje, por deri tani negociatat formale nuk kanë nisur.
Kjo lëvizje e opozitës vjen ndërkohë që Presidenti Bajram Begaj ka dekretuar 9 nëntorin si datë për zgjedhjet e pjesshme vendore në Tiranë dhe në pesë bashki të tjera, ndërsa kryebashkiaku i pezulluar Erion Veliaj e ka ankimuar vendimin në Gjykatën Kushtetuese.