Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka dorëzuar sot zyrtarisht në Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRrE) kundërshtimin ndaj vendimit për daljen e bizneseve në tregun e lirë të energjisë, duke e cilësuar këtë veprim si të paligjshëm dhe të paqëndrueshëm për sektorin privat.
Në një konferencë për media, deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, deklaroi se ZRrE ka vepruar në mënyrë të njëanshme, pa konsultime me akterët përkatës dhe pa përmbushur parakushtet ligjore për liberalizimin e tregut.
“ZRrE ka injoruar qëndrimet e shoqërisë civile, odave ekonomike dhe organizatave profesionale, duke mos përmbushur as analizat bazike të konkurrencës dhe pa u konsultuar me institucionet përgjegjëse si Autoriteti Kosovar i Konkurrencës dhe Zyra e Ndihmës Shtetërore. Edhe Avokati i Popullit ka vërejtur se ky vendim cenon interesat legjitime të një komuniteti të gjerë ekonomik dhe rrezikon të shkaktojë krizë sociale”, theksoi Tahiri.
Sipas tij, vendimi është marrë në mungesë të një analize gjithëpërfshirëse dhe përfaqëson një rrezik të madh për bizneset, të cilat nuk mund ta përballojnë kalimin në treg të lirë me çmime shumë më të larta.
Tahiri paralajmëroi se nëse ZRrE nuk pezullon zbatimin e këtij vendimi brenda 15 ditëve, PDK do të drejtohet në Gjykatën Themelore të Prishtinës për të kërkuar vendosjen e një mase të përkohshme.
“Pozita dominuese e KESCO-s në treg, e kombinuar me faktin se shumica e operatorëve të tjerë janë vetëm tregtarë, jo prodhues të energjisë, ka sjellë çmime deri në 280% më të larta. Kjo dëshmon qartë se nuk ekzistojnë kushtet për një treg të hapur dhe konkurrues. Ky vendim nuk është as vendim zyrtar – është vetëm një njoftim i cili duket se është përdorur për të shmangur përgjegjësinë ligjore”, u shpreh deputeti i PDK-së.
PDK i ka bërë thirrje ZRrE-së që të anulojë menjëherë zbatimin e këtij vendimi, duke kërkuar një qasje të përgjegjshme dhe transparente ndaj çështjeve që prekin drejtpërdrejt ekonominë e vendit dhe mirëqenien e qytetarëve.