Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka dorëzuar sot në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) listën përfundimtare të kandidatëve për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, duke konfirmuar pjesëmarrjen e saj me përfaqësimin më të gjerë në nivel vendi.
Në këtë garë, PDK do të konkurrojë me 33 kandidatë për kryetarë komunash, prej të cilëve tri janë gra, si dhe me lista këshilltarësh në 36 komuna të Kosovës. Në Kllokot dhe Mamushë, partia do të jetë e pranishme vetëm me listë për Kuvendin Komunal, ndërsa në Graçanicë do të marrë pjesë në një listë të përbashkët të partive shqiptare.
Në total, PDK do të garojë me 878 kandidatë për asamble komunale, prej të cilëve 555 burra (63%) dhe 323 gra (37%), duke u renditur ndër partitë me përfaqësimin më të lartë të grave në listat zgjedhore në nivel vendi.
“PDK po hyn në këtë garë me ekipin më të gjerë, më të përgatitur dhe më të përkushtuar për të udhëhequr komunat tona drejt zhvillimit dhe mirëqenies. Kjo është një garë për punë, rezultate dhe për të ardhmen e qytetarëve tanë,” – deklaroi kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.
PDK u bën thirrje qytetarëve që më 12 tetor të votojnë për vizionin, programin dhe kandidaturat e saj, duke synuar zhvillim, stabilitet dhe mirëqenie për çdo komunë.
Lista e kandidatëve për kryetarë komunash:
-
Prishtinë – Uran Ismaili
-
Ferizaj – Agim Aliu
-
Prizren – Shaqir Totaj
-
Mitrovicë – Arian Tahiri
-
Vushtrri – Ferit Idrizi
-
Skenderaj – Sami Lushtaku
-
Drenas – Petrit Hajdari
-
Kaçanik – Sabedin Vishi
-
Hani i Elezit – Mehmet Ballazhi
-
Gjilan – Riad Rashiti
-
Pejë – Arta Nallbani
-
Gjakovë – Ervin Shabani
-
Klinë – Sokol Bashota
-
Lipjan – Shukri Buja
-
Shtime – Përparim Ramusa
-
Dragash – Shaban Shabani
-
Malishevë – Gëzim Krasniqi
-
Rahovec – Edon Cana
-
Suharekë – Dardan Berisha
-
Podujevë – Isak Shabani
-
Fushë Kosovë – Rrahim Tërrnava
-
Kamenicë – Jona Arifi
-
Viti – Bekim Azizi
-
Istog – Ali Nimanaj
-
Obiliq – Nysret Kelmendi
-
Deçan – Korab Mushkolaj
-
Zubin Potok – Izmir Zeqiri
-
Zveçan – Ilir Peci
-
Mitrovicë e Veriut – Flutura Hamza
-
Leposaviq – Shaqir Hetemi
-
Shtërpcë – Garip Sahiti
-
Novobërdë – Selatin Nuhiu
-
Junik – Fatos Shala