Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka ritheksuar kërkesën e saj që procesi gjyqësor në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së të përmbyllet me drejtësi, pa ndikime politike dhe pa interpretime apo spekulime që, sipas saj, e kanë shoqëruar këtë çështje gjatë pesë viteve të fundit.
Në një komunikatë për media, PDK thekson se faza përmbyllëse e gjykimit është vendimtare dhe duhet të përqendrohet ekskluzivisht te drejtësia e paanshme, faktet dhe provat e paraqitura në proces. Sipas partisë, çdo qasje politike apo interpretuese do të dëmtonte standardet e drejtësisë dhe do të thellonte padrejtësinë ndaj të akuzuarve.
“Kjo fazë përmbyllëse kërkon që gjykimi të çlirohet nga çdo ngarkesë politike dhe të mbështetet vetëm në të vërtetën faktike dhe provat”, thuhet në qëndrimin e PDK-së.
Partia kujton se procesi gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit është shoqëruar me zvarritje të panevojshme, paqartësi procedurale dhe vendime që kanë ngritur shqetësime serioze për respektimin e të drejtave themelore të njeriut dhe standardeve të drejtësisë ndërkombëtare.
Sipas PDK-së, dëshmitë e paraqitura gjatë gjykimit kanë hedhur poshtë pretendimet kryesore të aktakuzës, duke rrëzuar dyshimet mbi përgjegjësinë individuale, grupore apo komanduese të ish-udhëheqësve të UÇK-së.
Partia Demokratike e Kosovës shpreh bindjen se vetëm një vendim i drejtë, profesional dhe i bazuar në prova mund të kontribuojë në mbylljen e këtij kapitulli të rëndësishëm për Kosovën, duke garantuar drejtësi ndërkombëtare dhe duke mbrojtur dinjitetin e luftës çlirimtare.
PDK rithekson përkushtimin e saj ndaj sundimit të ligjit, paqes dhe drejtësisë, duke theksuar se e ardhmja e Kosovës dhe besueshmëria e drejtësisë ndërkombëtare varen nga një përmbyllje e drejtë e këtij procesi.

