Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, konfirmoi sot se PDK-ja nuk do të mbështesë zgjedhjen e Nenad Rashiq si nënkryetar i Kuvendit nga komuniteti serb.
Para fillimit të seancës, Krasniqi tha se partia e tij nuk mund të bëhet pjesë e “lojërave politike”, edhe pse Rashiq në rrethana të tjera do të ishte një nënkryetar i suksesshëm.
“Nuk mund të bëhemi pjesë e lojërave politike, pavarësisht se Rashiq në një rrethanë tjetër do të ishte një nënkryetar shumë i mirë. Kurti po insiston për zgjedhjen e Rashiqit, ndërsa nuk ka treguar të njëjtin entuziazëm për Albulena Haxhiun apo Dimal Bashën,” tha Krasniqi.
Ai shtoi se ka refuzuar takimin me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, ku do të diskutohej kjo çështje:
“Unë kam refuzuar sot takimin me z.Kurti përkundër kërkesës së tij për të diskutuar zgjedhjen e Nenad Rashiqit.”
Krasniqi gjithashtu akuzoi Vetëvendosjen dhe Kurtin për vazhdimin e bllokadës në Kuvend:
“Pse po insiston me kriju edhe një lëndë në Kushtetuese, nuk po e kuptoj,” përfundoi ai.