Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka akuzuar shumicën parlamentare se me veprimet e fundit politike po e çon vendin drejt një krize të re institucionale dhe zgjedhjeve të panevojshme.
Në një konferencë për media në Prishtinë, kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, dhe deputeti Përparim Gruda folën për situatën politike që çoi në shpërndarjen e Kuvendit dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja.
Tahiri deklaroi se vendi po shkon në zgjedhje jo për shkak të mungesës së zgjidhjeve, por për shkak të refuzimit të kompromisit nga shumica parlamentare.
Sipas tij, në politikë kërkohet marrëveshje dhe konsensus kur mungojnë votat, ndërsa insistimi vetëm në kandidatë partiakë tregon, sipas tij, përpjekje për kontroll të plotë të institucioneve.
“Problemi nuk është zgjedhja e presidentit, por dëshira për të kontrolluar çdo institucion të shtetit dhe për t’i nënshtruar të gjithë akterët politikë”, tha Tahiri.
Ai theksoi se PDK ka marrë pjesë në takimet me kryeministrin Albin Kurti për të gjetur një zgjidhje dhe ka qenë e hapur për marrëveshje politike, përfshirë edhe idenë e një kandidati konsensual nga familja Adem Jashari.
Sipas Tahirit, pavarësisht alternativave të ofruara, mungoi vullneti politik i shumicës parlamentare.
Në anën tjetër, deputeti Gruda u ndal në aspektin kushtetues të situatës, duke thënë se Kuvendi ka dështuar ta zgjedhë presidentin brenda afatit kushtetues.
Ai tha se për këtë arsye shpërndarja e Kuvendit dhe dekreti i presidentes Vjosa Osmani janë në përputhje me Kushtetutën.
Sipas Grudës, zgjedhja e presidentit është një detyrim kushtetues dhe jo një kompetencë diskrecionale e Kuvendit.
“Nëse pranohet se shpërndarja ndodh vetëm pas votimit të tretë, atëherë Kuvendi mund të mos e thërrasë kurrë seancën dhe të zgjasë mandatin përtej parashikimeve kushtetuese”, tha ai.
Gruda shtoi se interpretimi korrekt i Kushtetutës kërkon që afatet kushtetuese të mos neutralizohen përmes mosveprimit institucional.
Ai përfundoi se Kuvendi ka shkelur Kushtetutën me mosveprim dhe se pasojë e kësaj është shpërndarja e tij dhe mbajtja e zgjedhjeve të reja, për të cilat pritet së shpejti të caktohet edhe data.

