Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka konfirmuar se nuk do ta mbështesë Projektligjin për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, deklaroi gjatë seancës plenare se buxheti në formën aktuale përmban “shumë mangësi” dhe nuk reflekton, sipas tij, as përbërjen e qeverisë e as standarde profesionale të hartimit të një dokumenti financiar kaq të rëndësishëm.
“Ne i tërheqim të gjitha amendamentet dhe nuk e mbështesim këtë buxhet që nuk e reflekton as përbërjen e qeverisë, nuk është dokument profesional, ka shumë defekte për vitin 2026, por do të jetë i dëmshëm edhe për vitet e ardhshme”, u shpreh Tahiri.
PDK kishte paraqitur amendamente gjatë fazave të shqyrtimit në komisione dhe gjatë dy leximeve, por sipas Tahirit, asnjë nga vërejtjet kryesore nuk është marrë parasysh nga shumica parlamentare.
Partia thekson se qëndrimi i saj ka për qëllim mbrojtjen e interesit të qytetarëve dhe garantimin që dokumentet buxhetore të jenë të qarta, gjithëpërfshirëse dhe të zbatueshme në praktikë.

