Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka shkarkuar gjeneral-lejtnantin Jeffery Kruse nga posti i kreut të Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes së SHBA-së (DIA), vetëm pak javë pas një qortimi të fortë nga Shtëpia e Bardhë lidhur me një raport mbi ndikimin e sulmeve amerikane ndaj Iranit.
Sipas njoftimit të Pentagonit, përveç Kruse, janë shkarkuar edhe dy komandantë të tjerë të lartë ushtarakë, pa dhënë ndonjë shpjegim të menjëhershëm për vendimin.
Kriza nisi në qershor, kur Presidenti Donald Trump kundërshtoi ashpër një raport të rrjedhur të DIA-s, i cili konstatonte se sulmet amerikane kishin penguar vetëm për disa muaj programin bërthamor iranian. Shtëpia e Bardhë e quajti raportin “krejtësisht të gabuar”, ndërsa Trump këmbënguli se objektet bërthamore të Iranit ishin “të shkatërruara plotësisht”, duke akuzuar mediat për “tentativë për të minimizuar një nga sulmet më të suksesshme ushtarake në histori”.
Në atë kohë, gjatë një samiti të NATO-s, sekretari Hegseth e cilësoi raportin si të bazuar në “inteligjencë të ulët” dhe konfirmoi se FBI po hetonte rrjedhjen e informacionit.
DIA është një agjenci brenda Pentagonit e specializuar në inteligjencën ushtarake për mbështetjen e operacioneve, e ndryshme nga CIA, por me rol të rëndësishëm në mbledhjen e të dhënave teknike.
Burime për Reuters raportojnë se, përveç Kruse, Hegseth ka urdhëruar shkarkimin edhe të shefit të rezervave të Marinës Amerikane dhe të komandantit të Komandës së Luftës Speciale Detare.
Reagimet politike nuk kanë munguar. Senatori demokrat Mark Warner paralajmëroi se largimi i Kruse është shenjë e një “zakoni të rrezikshëm të presidentit Trump për ta trajtuar inteligjencën si provë besnikërie dhe jo si mjet për mbrojtjen e vendit”.
Trump ka shkarkuar disa zyrtarë të lartë gjatë mandatit të tij, shpesh për shkak të analizave ose raporteve që binin ndesh me narrativën e tij politike. Ndër të fundit ishte Komisionerja e Statistikave të Punës, Erika McEntarfer, e shkarkuar në korrik pas një raporti për ngadalësim të rritjes së vendeve të punës. Në prill, ai largoi gjeneralin Timothy Haugh nga drejtimi i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare (NSA), si dhe disa këshilltarë nga Këshilli i Sigurisë Kombëtare.
Në shkurt, Hegseth ndërmori një tjetër valë shkarkimesh, duke përfshirë gjeneralin e Forcave Ajrore, C. Q. Brown, si dhe pesë admiralë e gjeneralë të tjerë në Pentagon.