Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se Komisioni për Buxhet dhe Financa ka miratuar unanimisht përfshirjen e buxhetit të Kryeqytetit në projekt-buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026.
Vendimi është marrë me 10 vota pro, pa asnjë votë kundër apo abstenim, duke siguruar – sipas Ramës – stabilitet financiar dhe bazë të qëndrueshme për realizimin e projekteve zhvillimore të planifikuara për vitin e ardhshëm.
Ai theksoi se ky hap i hap rrugë vazhdimit të investimeve në infrastrukturë, shërbime publike dhe projekte strategjike që synojnë përmirësimin e cilësisë së jetës në Prishtinë.
Sipas Ramës, Komuna e Prishtinës ka përmbyllur procesin me përkushtim dhe profesionalizëm, duke përgatitur dokumentacionin dhe tabelat buxhetore në përputhje me kërkesat ligjore.
“Prishtina do të vazhdojë të punojë me përgjegjësi, transparencë dhe vizion të qartë zhvillimor, duke u siguruar që çdo mjet buxhetor të kthehet në investim konkret për qytetarët tanë”, ka deklaruar ai.
Përfshirja e buxhetit të Kryeqytetit në projekt-buxhetin 2026 konsiderohet një hap i rëndësishëm për garantimin e funksionimit financiar dhe realizimin e projekteve kapitale në kryeqytet.

