Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se në orën 02:00 të mëngjesit të së premtes, më 9 janar 2026, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) është përmbyllur numërimi i fletëvotimeve të fundit nga votimi me postë jashtë Kosovës.
Sipas rezultateve përfundimtare të votimit me postë, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë e para me 33,556 vota, e ndjekur nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 4,611 vota, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 4,259 vota, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka siguruar 1,801 vota.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se me përfundimin e këtij procesi është mbyllur i gjithë numërimi i votave nga zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura më 28 dhjetor 2025.
“Me përfundimin e numërimit të këtyre fletëvotimeve, KQZ është e gatshme për shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve. Megjithatë, sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, subjektet politike kanë të drejtë të paraqesin ankesa në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) brenda 48 orëve nga ndodhja e shkeljes së supozuar që lidhet me administrimin e numërimit në QNR”, ka deklaruar Elezi.
Shpallja e rezultatit përfundimtar pritet të bëhet pas përfundimit të afatit ligjor për ankesa dhe vendimmarrjes eventuale të PZAP-it.

