Përparim Rama është betuar sot për një mandat të ri si kryetar i Komunës së Prishtinës, duke dhënë zotimin se do ta udhëheqë kryeqytetin me përkushtim të plotë dhe paanshmëri. Ai kërkoi fundin e bllokadave politike dhe theksoi se kritika e sinqertë është e domosdoshme për zhvillim.
Gjatë ceremonisë së betimit, Rama u shpreh se do të jetë në shërbim të qytetarëve “24/7”, ndërsa kërkoi reflektim dhe bashkëpunim mes të gjitha palëve politike.
“Le të debatojmë kur duhet, por të mos harrojmë çfarë na bashkon. Jemi këtu për të mirën e qytetarëve”, tha ai.
Në të njëjtën seancë, Fehmi Kupina nga Lidhja e Prishtinës është zgjedhur kryesues i Kuvendit komunal të Prishtinës me 31 vota për, 4 kundër dhe 2 abstenime. Kupina rikthehet në këtë pozitë, të cilën e ka mbajtur edhe më parë.
Mandati i ri nis me premtime për bashkëpunim, stabilitet dhe një administratë që, sipas Ramës, do t’u shërbejë qytetarëve, jo interesave partiake.

