Qeveria italiane ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Evropian (GJEDNJ), që kërkon një kontroll më të thelluar gjyqësor për përcaktimin e të ashtuquajturave “vende të sigurta të origjinës” për emigrantët. Ky vendim ka sjellë tensione të reja në debatin për marrëveshjen Italo-Shqiptare për trajtimin e migrantëve në Gjadër.
Në një deklaratë zyrtare të shpërndarë nga Palazzo Chigi dhe publikuar nga kryeministrja Giorgia Meloni, qeveria italiane e cilëson vendimin si një “uzurpim të kompetencave politike nga drejtësia evropiane”, duke e konsideruar si ndërhyrje të papranueshme në sovranitetin kombëtar të shteteve anëtare.
“Sërish gjyqësori, kësaj here ai evropian, pretendon hapësira që nuk i përkasin, për çështje që janë ekskluzivisht politike”, thuhet në deklaratë.
Në thelb të vendimit të Gjykatës së BE-së është rasti i dy azilkërkuesve nga Bangladeshi, të cilët u dërguan në një qendër pritjeje në Shqipëri në kuadër të marrëveshjes mes Romës dhe Tiranës. Ata u përfshinë në një procedurë të përshpejtuar dhe kërkesat e tyre për azil u refuzuan mbi bazën se Bangladeshi është shpallur “vend i sigurt”. Gjykata argumentoi se një përcaktim i tillë nuk mund të mbështetet vetëm në një akt të miratuar nga qeveria, në mungesë të të dhënave të verifikueshme dhe të kontrollueshme nga organet gjyqësore.
Qeveria italiane paralajmëron se ky vendim rrezikon të dëmtojë rëndë politikat e saj për menaxhimin e emigracionit, duke theksuar se ai “dobëson mbrojtjen e kufijve kombëtarë” dhe mbështetet në burime jozyrtare, duke anashkaluar vlerësimet e autoriteteve shtetërore dhe aprovimet parlamentare.
“Gjykata i jep një gjyqtari të thjeshtë të drejtën të rrëzojë një segment të tërë të politikës kombëtare për emigracionin,” thekson më tej deklarata.
Megjithatë, ekzekutivi i Giorgia Melonit deklaron se nuk ka ndërmend të ndryshojë kursin. “Për dhjetë muajt që na ndajnë nga hyrja në fuqi e Paktit të ri Evropian për Migracionin dhe Azilin, qeveria do të vijojë të kërkojë çdo zgjidhje teknike dhe ligjore për të mbrojtur sigurinë e qytetarëve italianë”, thuhet në fund të reagimit.
Deklarata e përmbyll duke vënë në pikëpyetje kohën e shpalljes së këtij vendimi, duke e cilësuar “të çuditshme” që vjen në prag të zbatimit të rregullave të reja të BE-së, të cilat sipas Italisë do të sjellin standarde më të ashpra për identifikimin e vendeve të sigurta të origjinës.