Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka kritikuar ashpër vendimin e Vetëvendosjes për të shpallur Kuvendin e Kosovës “të konstituuar” pa zgjedhjen e nënkryetarit nga komuniteti serb, duke e quajtur një veprim “përtej talljes me shtetin”.
Krasniqi po ashtu ka refuzuar të takohet me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për të diskutuar zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga komuniteti serb. Ai ka arsyetuar vendimin duke e cilësuar si praktik, duke kujtuar se gjatë zgjedhjes së kryeparlamentarit, PDK-ja kishte kërkuar dy herë një ndërprerje 10-minutëshe të seancës për të arritur një dakordim me LVV-në për të zgjedhur një kryetar më të denjë për Kuvendin, një shembull i tillë sipas tij duke qenë Glauk Konjufca, dhe jo Dimal Basha. Refuzimi i atij propozimi e ka bërë të pavlefshëm edhe takimin për zgjedhjen e nënkryetarit.
“Ne nuk e pamë të arsyeshme të takohemi për zgjedhjen e nënkryetarit të komunitetit serb pasi që tashmë procesi i kryeparlamentarit u menaxhua në mënyrë të padrejtë dhe me mungesë dialogu,” tha Krasniqi.
Ai kritikoi më tej Vetëvendosjen për “shkelje të rëndë kushtetuese” dhe për mënyrën se si po menaxhohet Kuvendi:
“Qytetarët po e shohin dhe nuk do ta harrojnë. Përtej talljes me shtetin, kjo është bërë edhe e rrezikshme. Ata e kanë kthyer Kuvendin në një Big Brother, duke ndjekur se kush eliminohet e kush humb. Kjo nuk ka ndodhur asnjëherë më parë, dhe tregon mungesë totale të përgjegjësisë dhe shpërfillje të rendit kushtetues. Janë duke sharruar edhe më tej në shkelje kushtetuese,” tha Krasniqi.
Ky reagim i kryetarit të PDK-së vjen pas përpjekjeve të dështuara për të zgjedhur nënkryetarin nga komuniteti serb, një çështje që sipas ligjit është thelbësore për konstituimin e plotë të Kuvendit.