Lufta në Irani po fillon të ndjehet jo vetëm në fushëbetejë, por edhe në xhepat e qytetarëve. Ekspertët paralajmërojnë se çmimet e produkteve plastike mund të rriten ndjeshëm brenda 2 deri në 4 muajve.
Shkaku kryesor lidhet me rritjen e fortë të çmimit të naftës – mbi 40% që nga fillimi i konfliktit – e cila është lënda bazë për prodhimin e plastikës. Si pasojë, produkte të përditshme si pijet e ambalazhuara, paketimet ushqimore dhe qeset e plehrave pritet të jenë ndër të parat që do të shtrenjtohen.
Sipas ekspertëve, efekti nuk do të jetë i menjëhershëm për të gjitha produktet, pasi kompanitë fillimisht përdorin rezervat ekzistuese. Megjithatë, brenda disa muajsh, kostot e larta të paketimit dhe prodhimit do të reflektohen drejtpërdrejt në çmimet për konsumatorët.
Një faktor kyç mbetet Ngushtica e Hormuzit, një korridor jetik për furnizimin global me naftë dhe gaz, ku tensionet kanë rritur pasigurinë në tregjet energjetike.
Problemi është më i thellë seç duket: mbi 99% e plastikës prodhohet nga lëndë djegëse fosile, çka e bën industrinë shumë të ndjeshme ndaj krizave energjetike. Ndërkohë, alternativat si qelqi apo letra mbeten të kushtueshme dhe kërkojnë kohë për t’u adoptuar.

