Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Njerëz (DHTNj), ka realizuar disa plane operative gjatë periudhës gusht–tetor 2025, të cilat kanë rezultuar me arrestimin e 52 personave, përfshirë shtetas të Kosovës dhe të huaj, të dyshuar për veprën “Marrje me Prostitucion”.
Sipas njoftimit zyrtar, aksionet janë zhvilluar në Prishtinë, Prizren, Ferizaj dhe Pejë, pas një periudhe të zgjatur hetimesh dhe veprimesh operative të koordinuara. Si rezultat, janë inicuar gjithsej 26 raste, të cilat tashmë janë referuar gjykatave kompetente për trajtim sipas procedurave ligjore.
Ndaj personave të përfshirë në këto raste janë shqiptuar dënime me gjobë, ndërsa për shtetasit e huaj është vendosur masa e dëbimit nga territori i Republikës së Kosovës dhe ndalimi i hyrjes për tre vite.
Policia e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në parandalimin, hetimin dhe trajtimin e të gjitha formave të veprimtarive që bien ndesh me ligjin, veçanërisht atyre që lidhen me trafikimin e qenieve njerëzore dhe shfrytëzimin seksual.