Policia e Kosovës ka arrestuar sot një shtetas të huaj, i cili ishte në kërkim ndërkombëtar nga INTERPOL, nën dyshimet për trafikim të drogës.
Sipas njoftimit zyrtar, arrestimi është realizuar nga zyrtarët e Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor – ILECU, në bashkëpunim të ngushtë me Stacionin Policor Jugu në Prishtinë. I dyshuari ishte subjekt i një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet kompetente të Gjermania, për veprën penale “trafikim i drogave narkotike në mënyrë të përsëritur dhe fitimprurëse”, e sanksionuar sipas legjislacionit penal gjerman.
Me vendim të Prokurorit Kujdestar, personi i arrestuar është dërguar në ndalim policor për 48 orë, në pritje të procedurave të mëtejme ligjore që lidhen me ekstradimin dhe trajtimin e rastit, në përputhje me ligjet në fuqi.
Policia e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe në luftimin e krimit të organizuar dhe veprave të rënda penale, duke vepruar në koordinim të plotë me partnerët ndërkombëtarë të sigurisë.

