Dogana e Kosovës, në koordinim të ngushtë me Policia e Kosovës, kanë zbuluar rreth dy kilogramë lëndë narkotike, që dyshohet të jetë kokainë, gjatë një kontrolli të detajuar në Pikëkalimin Kufitar Merdare.
Sipas njoftimit zyrtar, rasti ka ndodhur sot, më 02 shkurt 2026, kur zyrtarët doganorë, në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Trafikimit të Narkotikëve të Policisë së Kosovës, kanë ndaluar dhe kontrolluar një automjet të dyshuar në hyrje të territorit të Republikës së Kosovës.
Gjatë kontrollit të thelluar, brenda automjetit janë gjetur rreth 2 kilogramë substancë narkotike, e fshehur në mënyrë të sofistikuar. Për lokalizimin e saktë të saj është përdorur edhe skaneri X-ray, pajisje e avancuar teknologjike, donacion i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që ka lehtësuar ndjeshëm identifikimin e vendit ku ishte fshehur droga.
Rasti është duke u trajtuar nga organet kompetente, ndërsa ndaj personave të përfshirë pritet të ndërmerren veprimet e mëtejme ligjore, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Nga Dogana dhe Policia e Kosovës është theksuar se mbeten të përkushtuara në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikimit të narkotikëve, përmes bashkëpunimit ndërinstitucional, shkëmbimit të inteligjencës dhe përdorimit të pajisjeve moderne, me qëllim garantimin e sigurisë së qytetarëve dhe mbrojtjen e kufijve të Kosovës.
