Policia e Kosovës, në bashkëpunim me misionin e KFOR-it, ka realizuar sot ushtrimin e përbashkët fushor “ALAMO”, i cili është mbajtur në pjesën veriore të vendit. Ky ushtrim kishte për qëllim forcimin e koordinimit, komunikimit dhe komandës ndërmjet njësive policore dhe trupave të KFOR-it, me synim sigurimin e një reagimi të shpejtë, efikas dhe profesional në çdo situatë që ndikon në rendin dhe sigurinë publike.
Gjatë ushtrimit u testuan koha e reagimit, efikasiteti i pajisjeve, komunikimi ndërmjet njësive, si dhe zbatimi i taktikave operacionale në terren, në bashkëveprim të plotë mes njësive speciale të Policisë së Kosovës dhe forcave të KFOR-it. Ushtrimi “ALAMO” u zhvillua sipas planifikimeve të hartuara paraprakisht dhe përfundoi me sukses, duke dëshmuar një nivel të lartë profesionalizmi dhe bashkëpunimi ndërinstitucional.
Policia e Kosovës dhe KFOR-i kanë theksuar përkushtimin e tyre të vazhdueshëm në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, si dhe në thellimin e bashkëpunimit për garantimin e një mjedisi të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.

