Policia e Kosovës ka realizuar një aksion të suksesshëm në luftën kundër narkotikëve, duke sekuestruar mbi 500 kilogramë lëndë narkotike të llojit marihuanë në një fshat të Suharekës.
Hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotik, Njësia në Prizren, pas veprimeve operativo-hetimore në terren, lokalizuan një objekt (stallë), ku dyshohej se po kultivoheshin dhe thaheshin bimë narkotike.
Gjatë kontrollit, më 16 shtator 2025, në vendngjarje u gjetën marihuanë në proces tharjeje, një granata-hedhës (mortajë dore) dhe një pushkë gjuetie. Pas matjes, sasia e drogës arriti në 512 kilogramë e 89 gramë, me vlerë të tregut të përafërt rreth 750 mijë euro.
Në vendin e ngjarjes u gjetën dhe u konfiskuan dëshmi të tjera relevante. Ndërkohë, një person i dyshuar, i njohur për policinë, ndodhet ende në arrati.
Hetimet për këtë rast po vazhdojnë nën udhëheqjen e prokurorit kompetent.