Policia e Kosovës ka arritur të parandalojë një rast kontrabande në komunën e Kamenicës, pas një operacioni të organizuar taktikisht nga zyrtarët e SPMK–Muqivercë, në bashkëpunim me njësitet e SP–Kamenicë.
Rreth orës 17:00, në fshatin Berivojcë, është ndaluar një veturë me targa vendore, të cilën e drejtonte një mashkull kosovar. Gjatë kontrollit të automjetit, policia ka zbuluar një sasi të konsiderueshme materialesh medicinale dhe dentare, për të cilat i dyshuari nuk posedonte dokumentacion përkatës.
Pas konsultimit me prokurorin kujdestar, është urdhëruar inicimi i rastit penal, ndërsa malli i sekuestruar është dërguar për procedura të mëtejme në Doganën e Dheut të Bardhë.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se operacionet e këtij lloji do të vazhdojnë me qëllim parandalimin e kontrabandës dhe mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve.