Policia e Kosovës ka zbatuar një plan të posaçëm operativ me qëllim të garantimit të sigurisë, ruajtjes së rendit publik dhe menaxhimit të situatës gjatë festës së ndërrimit të mot-moteve në të gjithë vendin.
Sipas njoftimit zyrtar, plani operativ ka përfshirë shtimin e prezencës policore në lokacione dhe ambiente ku pritej grumbullim më i madh qytetarësh, si dhe masa të shtuara sigurie gjatë festimeve të fundvitit dhe të Vitit të Ri.
Në kuadër të këtij plani, Policia ka pasur vëmendje të veçantë edhe në mbikëqyrjen dhe kontrollin e trafikut rrugor, menaxhimin e pikave të kalimit kufitar – përfshirë Aeroportin Ndërkombëtar – si dhe sigurimin e brezit kufitar në përgjithësi.
Bazuar në raportimet nga Drejtoritë Rajonale Policore, nata e Vitit të Ri ka kaluar me disa incidente të lidhura me festimet. Nga disa rajone janë raportuar lëndime trupore si pasojë e përdorimit të pakujdesshëm të mjeteve piroteknike, raste të lëndimeve të lehta nga armë zjarri, si dhe dëme materiale, përfshirë zjarre të shkaktuara nga mjete piroteknike.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se të gjitha rastet e raportuara janë duke u trajtuar dhe do të vazhdojnë të hetohen në koordinim me prokuroritë kompetente, për t’u proceduar më tej në organet e drejtësisë, varësisht nga natyra e veprës penale apo incidentit.
Në fund, Policia e Kosovës ka uruar qytetarët për Vitin e Ri 2026, duke falënderuar për bashkëpunimin dhe besimin e treguar.
“Gëzuar Vitin e Ri 2026! Qoftë ky vit i suksesshëm, me shëndet, paqe dhe siguri për të gjithë qytetarët”, thuhet në urimin e Policisë, duke apeluar që bashkëpunimi me qytetarët të vazhdojë edhe gjatë vitit të ri në të mirë të komunitetit.

