Policia e Kosovës ka ndërmarrë të martën dy operacione të ndara në pjesën veriore të vendit, ku janë zbuluar armë të fshehura dhe materiale me simbole nacionaliste serbe.
Operacioni i parë u zhvillua në fshatin Junake të komunës së Zveçanit, rreth orës 15:00. Njësia për Ndërhyrje të Shpejtë e Policisë Kufitare, pas informacioneve të pranuara për aktivitete të dyshimta, kontrolloi një zonë pyjore. Gjatë bastisjes, policia gjeti tri armë të gjata – një pushkë gjysmë automatike dhe dy pushkë gjuetie – të fshehura brenda një gypi metalik dhe të mbuluara me kujdes në pyll. Po ashtu, u sekuestruan edhe sasi të caktuara të municionit. Në vendngjarje u përfshinë njësitet për trajtimin e mjeteve shpërthyese dhe hetuesit rajonalë.
Ndërkohë, në një aksion tjetër në Leposaviq, Policia Kufitare në bashkëpunim me Doganën dhe Njësinë e Hetimeve Rajonale bastisi një lokal. Gjatë kontrollit, u gjetën bluza, pajisje elektroshoku dhe artikuj të tjerë me simbole dhe mbishkrime të dyshuara si nacionaliste. Për shkak të natyrës së materialeve, rasti i është dorëzuar Prokurorisë Speciale të Kosovës.
Zëvendësdrejtori i Policisë për veriun e vendit, Veton Elshani, konfirmoi se deri më tani nuk ka të arrestuar, por hetimet vazhdojnë.
Policia e Kosovës theksoi se këto aksione janë pjesë e përpjekjeve të saj për forcimin e rendit dhe ligjit në veri, si dhe për parandalimin e aktiviteteve të paligjshme dhe potencialisht destabilizuese.