Operacioni është udhëhequr nga Njësia për Hetimin e Falsifikimit të Dokumenteve në kuadër të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, nën mbikëqyrjen e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, pas disa muajsh hetime intensive.
Hetimet kanë zbuluar se i dyshuari, në bashkëpunim me persona të tjerë, ka falsifikuar dokumente që janë përdorur për bartjen dhe legalizimin e pronave nën menaxhimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), me qëllim të ndryshimit të pronësisë dhe kalimit të pronave shtetërore në pronësi private. Pronat e falsifikuara më pas janë shitur, duke mashtruar blerësit dhe përfituar shuma të mëdha financiare me vlerë milionëshe.
Në bazë të urdhëresës së Gjykatës Themelore në Prishtinë, më 1 nëntor 2025, policia ka realizuar kontrolle në një shtëpi, tri banesa dhe dy garazhe që lidhen me të dyshuarin. Gjatë operacionit janë sekuestruar dokumente të ndryshme që lidhen me rastin, kontrata shitblerjeje, regjistra parcelash, dosje pronash në gjuhën serbe, dokumente të ish-RFJ-së, si dhe pajisje për falsifikim, përfshirë pesë makina shkrimi të vjetra dhe një pajisje “Paper Trimmer”. Po ashtu, janë konfiskuar një revole e tipit Zaragio me 103 fishekë, një telefon iPhone 17 Pro, një orë dore Rolex dhe një zinxhir dore Rolex.
Sipas Policisë, ndaj të dyshuarit ekziston dyshimi i arsyeshëm për kryerjen e veprave penale: Falsifikim i dokumenteve, Legalizim i përmbajtjes së rreme, Mashtrim dhe Mbajtje e paautorizuar e armëve.
I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit dhe me vendim të Prokurorit të Shtetit është dërguar në ndalim policor për 48 orë. Hetimet po vazhdojnë për identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të mundshëm.
Policia e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në luftimin e krimeve ekonomike, korrupsionit dhe çdo forme të keqpërdorimit të pronës publike, duke garantuar ligjshmëri, transparencë dhe llogaridhënie ndaj qytetarëve dhe institucioneve të Republikës së Kosovës.

