Policia e Kosovës, në bashkëpunim me inspektorët e tregut nga Drejtoria e Inspeksionit e Komunës së Mitrovicës Veri dhe inspektorët e Administratës Tatimore të Kosovës, ka sekuestruar shtatë aparate POS që shërbenin për kryerjen e pagesave në valutën serbe – dinar.
Aparatet u zbuluan gjatë kontrolleve në shtatë biznese të ndryshme në komunën e Mitrovicës Veri. Rasti është referuar Prokurorit të Shtetit, i cili ka urdhëruar sekuestrimin e përkohshëm të pajisjeve dhe inicimin e hetimeve për veprën penale “Keqpërdorim i autorizimeve ekonomike”.
Aktualisht nuk ka persona të arrestuar, ndërsa rasti është në procedurë hetimore pranë Njësisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike – Rajoni Mitrovicë Veri.