Sipas njoftimit zyrtar, Stacioni Policor në Rahovec ka reaguar menjëherë pas pranimit të informatave, duke zhvilluar veprime operative dhe hetimore në dy lokacione të ndara.
Në rastin e parë, një i dyshuar i mitur kishte postuar një video duke shtënë me armë zjarri. Pas bastisjes në shtëpinë e tij në fshatin Qifllak – Rahovec, policia ka gjetur dhe sekuestruar:
-
tri armë të gjata,
-
një pistoletë me dy karikatorë,
-
207 fishekë të llojeve të ndryshme dhe
-
nëntë gëzhoja kalibër 9 mm.
Në rastin e dytë, një person madhor u identifikua pas publikimit të një videoje tjetër, ku shihej duke përdorur një armë të dyshuar të llojit pistoletë. Gjatë kontrollit në shtëpinë e tij në fshatin Fortesë – Rahovec, janë sekuestruar dy pistoleta dhe një karikator.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, ndaj të dyshuarve janë inicuar procedura penale për veprat:
-
“Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe
-
“Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”.
Njëri nga të dyshuarit, ai i mituri, është ndaluar për 24 orë, ndërsa i dyshuari i dytë është liruar në procedurë të rregullt.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë ka theksuar se do të vazhdojë me masa parandaluese dhe kontrolle të rregullta, me qëllim parandalimin e përdorimit të armëve të zjarrit dhe mbrojtjen e jetës dhe pasurisë së qytetarëve.