Polonia ka rrëzuar disa dronë rusë që shkelën hapësirën e saj ajrore gjatë një sulmi ajror ndaj Ukrainës, duke ngritur menjëherë në veprim mbrojtjen kombëtare dhe atë të NATO-s. Autoritetet në Varshavë e kanë cilësuar incidentin si një “akt agresioni” dhe paralajmëruan se siguria e qytetarëve është në rrezik të drejtpërdrejtë.
Kryeministri polak, Donald Tusk, konfirmoi se operacionet janë ende në vazhdim dhe se është në kontakt të vazhdueshëm me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte. Ai thirri një mbledhje urgjente të qeverisë në orën 08:00 të mëngjesit, ndërsa komanda ushtarake raportoi se radarët kishin gjurmuar mbi 10 objekte ajrore, prej të cilave disa u “neutralizuan” pasi u konsideruan kërcënim.
“Disa nga dronët që hynë në hapësirën tonë ajrore janë rrëzuar. Operacionet për të gjetur mbetjet e tyre po vazhdojnë,” thuhet në deklaratën e ushtrisë polake. Qytetarëve iu bë thirrje të qëndrojnë në shtëpi, veçanërisht në rajonet Podlaskie, Mazowieckie dhe Lublin, të cilat u cilësuan si më të rrezikuarat.
Reagime ndërkombëtare
Ministria ruse e Mbrojtjes nuk ka komentuar incidentin, ndërsa mediat amerikane raportojnë se Sekretari i Shtetit i SHBA-së është informuar menjëherë. Aeroporti më i madh në vend, ai i Varshavës “Chopin”, u mbyll përkohësisht për shkak të rrezikut, duke detyruar devijimin e disa fluturimeve drejt aeroporteve të tjera si Katowice, Wroclaw dhe Poznan.
Në SHBA, senatori demokrat Dick Durbin paralajmëroi se shkeljet e vazhdueshme të hapësirës ajrore të NATO-s tregojnë se presidenti rus Vladimir Putin po teston vendosmërinë e aleancës. Ndërsa kongresmeni republikan Joe Wilson e cilësoi incidentin si një “akt lufte”, duke kërkuar nga presidenti amerikan Donald Trump sanksione të menjëhershme kundër Rusisë.
Forcat ajrore të Ukrainës njoftuan se gjatë natës e gjithë pjesa perëndimore e vendit ishte nën alarme ajrore, ndërsa dronët rusë kishin depërtuar në drejtim të Polonisë, duke kërcënuar qytetin kufitar Zamosc.