Një kontroll rutinë i Njësisë së Njohur për Reagim të Shpejtë (NJRSH), në rrugën “Stefanova” në Qagllavicë, mbrëmjen e 3 dhjetorit 2025 rreth orës 20:00, ka përfunduar me një zbulim të konsiderueshëm parash të transportuara në mënyrë të dyshimtë, raporton ekskluzivisht Gazeta Sinjali.
Sipas burimeve të afërta me hetimet, policia ka ndaluar një veturë luksoze Porsche Cayenne, të cilën e drejtonte H.A., 54 vjeç, ndërsa pasagjer ishte M.K., 40 vjeç. Gjatë kontrollit, zyrtarët policorë kanë vërejtur një qese letre të mbushur me para të gatshme, duke ngritur menjëherë dyshime për aktivitet të paligjshëm.
Në vendngjarje kanë intervenuar hetuesit dhe forenzika e Stacionit Policor Graçanicë, si dhe është njoftuar Prokurori Kujdestar. Të dy personat janë shoqëruar për intervistim në cilësi të të dyshuarve.
Burimet tregojnë se M.K. ka deklaruar se shuma e parave i përket një familjari të tij, pronar i një këmbimoreje, dhe se ai “vetëm ishte duke i transportuar”. Ndërkohë, H.A. ka mohuar kategorikisht të ketë pasur dijeni për shumën e gjetur, duke ia atribuuar përgjegjësinë pasagjerit.
Paratë janë numëruar në prezencë të M.K.-së dhe avokatit të tij, duke rezultuar në 138,850 euro. Me urdhër të Prokurorit Kujdestar, kjo shumë është sekuestruar, teksa të ndaluarit janë liruar në procedurë të rregullt.
Hetimet tashmë po vazhdojnë për të përcaktuar origjinën e mjeteve financiare, si dhe dyshimet për shmangie tatimore apo aktivitete të tjera të paligjshme.
Policia dhe Prokuroria pritet të publikojnë detaje shtesë në ditët në vijim.

