Shefja e stafit të presidentes së Kosovës, Learta Hollaj, ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit politike dhe vendimin për mbajtjen e zgjedhjeve të reja, duke theksuar se Presidenca nuk ka qenë pengesë në procesin për zgjedhjen e presidentit.
Në një intervistë në emisionin “Click” në RTV21, Hollaj tha se deklaratat e bëra deri më tani nga Vjosa Osmani janë të qarta dhe se në një moment të përshtatshëm presidentja do t’i sqarojë publikisht të gjitha detajet e situatës.
“Nuk kam asgjë për të shtuar deklaratave të presidentes. Do të vijë një moment kur Osmani do t’i drejtohet publikisht për çdo detaj. Kjo nuk ka të bëjë fare me një betejë personale. Ne nuk jemi ata që kemi penguar zgjedhjen e presidentit të ri”, tha Hollaj.
Ajo shtoi se duhet të shtrohet pyetja se çfarë përfitimi do të kishte presidentja nga shpallja e zgjedhjeve të reja.
Sipas saj, përgjigjja është e qartë: “Realisht nuk fiton asgjë.”
Nga Presidenca theksohet se procesi është plotësisht institucional, duke nënvizuar se çdo veprim i ndërmarrë nga presidentja do të jetë në përputhje me Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe në funksion të interesit publik, duke përjashtuar çdo interpretim për motive personale.

