Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, po qëndron sot për një vizitë zyrtare në Republikën Çeke, ku pritet të takohet me presidentin çek, Petr Pavel, ka njoftuar presidenca çeke.
Vizita vjen në kohën kur Republika Çeke mbetet një nga mbështetëset më të fuqishme të Kievit që prej nisjes së agresionit rus ndaj Ukrainës në vitin 2022.
Qeveria çeke ka udhëhequr një inisiativë ndërkombëtare për furnizimin e Ukrainës me municione të kalibrit të madh, në kuadër të së cilës tashmë janë dorëzuar më shumë se një milion predha, të financuara nga aleatët e NATO-s. Sipas raportimeve, Çekia ka përdorur rrjetin e saj diplomatik, ekonomik dhe industrial për të gjetur dhe transportuar municione nga e gjithë bota drejt Ukrainës.
Presidenti Zelensky, në një postim në rrjetet sociale këtë të diel, e ka vlerësuar iniciativën si të suksesshme:
“Nisma çeke për municionet ka rezultuar efektive dhe ne do ta vazhdojmë këtë përpjekje.”
Ai gjithashtu ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit në fushën e aviacionit ushtarak, përfshirë trajnimin e pilotëve dhe përforcimin e flotës ajrore ukrainase me aeroplanë F-16.
“Së bashku me Republikën Çeke dhe anëtarët e tjerë të koalicionit ajror, po përgatisim lajme të mira për Ukrainën,” – ka deklaruar Zelensky.
Gjatë qëndrimit në Pragë, presidenti ukrainas shoqërohet nga bashkëshortja e tij, Olena Zelenska, ndërsa nesër (të hënën) do të zhvillojë një takim edhe me kryeministrin çek Petr Fiala. Tema e municioneve dhe zgjerimi i mbështetjes ushtarake do të jetë ndër çështjet kryesore në agjendën e këtyre takimeve.
Vizita e Zelensky-t përforcon lidhjet mes Ukrainës dhe Çekisë në një moment kyç të luftës, duke thelluar koordinimin politik, ushtarak dhe diplomatik mes dy vendeve.