Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar në një intervistë për “Politico” se për Kosovën, anëtarësimi në NATO është prioritet absolut dhe shumë më urgjent sesa integrimi në Bashkimin Europian. Sipas saj, siguria e rajonit varet drejtpërdrejt nga prania e Aleancës në Ballkanin Perëndimor.
“E shoh NATO-n si më të domosdoshme se BE-në në këtë moment. Integrimi evropian kërkon kohë, por siguria është e menjëhershme — sidomos përballë Serbisë dhe ndikimit rus,” ka deklaruar Osmani nga Berlini.
Ajo ka theksuar se çdo zgjerim i territorit të NATO-s në rajon do të frenonte ndikimin e Rusisë, e cila sipas saj synon destabilizimin e Ballkanit dhe të kontinentit evropian.
Presidentja bëri të ditur se Kosova tashmë i ka përmbushur kriteret kyçe për t’u afruar me Aleancën, duke investuar mbi 2% të GDP-së në mbrojtje dhe duke planifikuar rritje të dyfishtë të buxhetit ushtarak në katër vitet e ardhshme. Ajo shtoi se nëse Kosova do të ishte pjesë e NATO-s, “Serbia nuk do të guxonte kurrë të ndërmerrte veprime agresive”.
Në lidhje me procesin e integrimit evropian, Osmani shprehu zhgënjim për stagnimin e procesit, pavarësisht harmonizimit të plotë të politikës së jashtme me BE-në dhe zbatimit të reformave.
“Qasja jonë pro-evropiane merret si e mirëqenë, nuk vlerësohet,” u shpreh ajo, duke apeluar që Gjermania të marrë rol udhëheqës në zgjerimin e BE-së dhe që procesi të bazohet në meritokraci. “Nëse meritat do të ishin vendimtare, Kosova do të kryesonte,” ka theksuar Presidentja.
Osmani kritikoi Serbinë, duke e cilësuar si “zgjatim të Rusisë”, ndërsa akuzoi presidentin Aleksandar Vuçiç se po përpiqet të rikthejë tensionet e viteve ’90. Ajo vuri në dukje se politika akomoduese e BE-së ndaj Beogradit “nuk ka dhënë rezultat”.
Në përfundim, Presidentja ritheksoi se Kosova nuk ka alternativë tjetër përveç rrugës euroatlantike, ndërsa vendi mbetet i përkushtuar ndaj reformave dhe partneritetit me aleatët perëndimorë.

