Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka dekoruar Presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, me Medaljen Presidenciale të Meritave, në një ceremoni solemne të mbajtur në Presidencë.
Në fjalën e saj, Presidentja Osmani e cilësoi këtë moment si një nder të veçantë në emër të popullit të Kosovës, duke e vlerësuar Infantinon si një mik të vërtetë të vendit dhe të futbollit që bashkon njerëzit përtej kufijve.
“Është nder i veçantë që sot, në emër të popullit të Kosovës, ta nderoj me Medalje Presidenciale të Meritave Presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, një mik i vërtetë i vendit tonë dhe i futbollit që bashkon njerëzit përtej kufijve. Faleminderit, President Infantino, që qëndruat me ne si në triumfe, ashtu edhe në sfida. Kosova do të jetë përherë mirënjohëse!”, ka deklaruar Osmani.
Ky vlerësim nga institucionet e Kosovës vjen si shenjë mirënjohjeje për mbështetjen e vazhdueshme të FIFA-s ndaj zhvillimit të futbollit kosovar dhe integrimit të tij në arenën ndërkombëtare.