Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, mori pjesë këtë javë në takimin e Fondit Global për Angazhim dhe Qëndrueshmëri të Komunitetit (GCERF), me ftesë të Ministrit të Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Johann Wadephul.
Në një postim në rrjetet sociale, Presidentja Osmani njoftoi se gjatë takimit Kosova riafirmoi përkushtimin e palëkundur për të luftuar terrorizmin dhe ekstremizmin e dhunshëm. Ajo theksoi se vendi ka ndërtuar sisteme të paralajmërimit të hershëm dhe ka zhvilluar mekanizma për përballjen e radikalizimit online, duke e shndërruar Kosovën në një model rajonal për bashkëpunim, qëndrueshmëri dhe promovimin e vlerave të përbashkëta.
GCERF ka përfshirë Kosovën si vend partner që nga viti 2017, duke e pozicionuar vendin në qendër të përpjekjeve ndërkombëtare për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe ndërtimin e komuniteteve më të qëndrueshme.